Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka folur për qëndrimin e tij në Zvicër, për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, për rolin e diasporës në forcimin ekonomisë dhe për fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Christian Dorer, kryeredaktorit të këtij mediumi prestigjioz, presidenti Thaçi ka theksuar se më kurrë nuk do të ketë luftë ndërmjet shqiptarëve edhe serbeve nëse arrihet një marrëveshjeje e paqes, e cila mund të arrihet në muajt e ardhshëm.
“Kush pengon arritjen e marrëveshjes së paqes, merr mbi supe përgjegjësinë e tragjedive të tjera ndëretnike shqiptaro-serbe e ndoshta edhe më gjerë”, ka paralajmëruar presidenti Thaçi, përcjell KP.
Ai ka folur edhe për ushtrinë e Kosovës, duke thënë se ajo do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe botë.
Kjo është intervista e plotë e presidentit Thaçi për “Blick”:
Z. President, dikur keni jetuar si refugjat dhe si student në Zvicër. Si po e përjetoni rikthimin tuaj këtu?
Hashim Thaçi: Më shumë kënaqësi dhe nostalgji i kujtoj vitet e mia në Zvicër. Ishin vitet më të qeta ndonjëherë. Zvicra më dha mbrojtje në kohën kur për shkak të rezistencës sime kundër regjimit të Millosheviqit është dashur ta braktis vendin tim. Djali im lindi këtu. Ai gjithashtu ka një imazh shumë pozitiv për Zvicrën.
Kosova përsëri gjendet në ballinat e mediave ndërkombëtare, sepse ju doni të themeloni një ushtri. Pse po e bëni ketë?
Hashim Thaçi: Ky ishte vendim i natyrshëm i një vendi të pavarur. Falë NATO-s, Kosova është një nga vendet më të sigurta në Evropë. Ne duam të bëhemi anëtar i NATO-s dhe kjo është e mundur vetëm me ushtrinë tonë. Ne duam t’i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë shumetnike me standardet e NATO-s. Në të vërtetë, nuk jemi shumë herët, por shumë vonë me të.
Pse?
Hashim Thaçi: Ishte gjithnjë e qartë se e donim ushtrinë tonë. Por, së pari na është dashur mbështetja nga të gjithë vendimmarrësit.
Çfarë do të thotë kjo për trupat zvicerane të KFOR-it në vendin tuaj?
Hashim Thaçi: Themelimi i ushtrisë sonë nuk ka ndikim në rolin e paqeruajtësve të KFOR-it në Kosovë. Gratë dhe burrat zviceranë po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.
Serbia reagoi ashpër me dhunë. A po e rrezikon ushtria e Kosovës procesin e paqes?
Hashim Thaçi: Reagimi i Serbisë ishte i motivuar politikisht dhe armiqësor, i nxituar dhe pa argumente. Vendimin për krijimin e ushtrisë e merr Kosova, jo Serbia. Mbi të gjitha, ne nuk pranojmë këshilla nga vendi më anti-NATO në rajon, siç është Serbia.
Një vit më parë, ju thatë në një intervistë për Blick se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë më të mira se kurrë. A është edhe më tutje kështu?
Hashim Thaçi: Natyrisht, ka vështirësi mes dy vendeve, por si dy shtete jemi shumë të fokusuara në negociatat për një paqe përfundimtare. Procesi udhëhiqet nga BE, i mbështetur nga SHBA dhe, me sa duket, do të pranohet edhe nga Rusia. Në fund, Kosova do të jetë anëtare e OKB-së dhe plotësisht e njohur nga të gjitha vendet, përfshirë Serbinë. Përvoja ime dy dekadash me negociata tregon se kur Kosova është në krahë me SHBA-në dhe BE-në, duhet të guxojë të hyjë në procese ndonjëherë sfiduese, por të sigurta në sukses.
Çka iu bën juve kaq optimist?
Hashim Thaçi: Paqja është një domosdoshmëri. Ne punojmë shumë në këtë drejtim. Dëshiroj një marrëveshje të balancuar për të dyja palët. Paqja nuk ka alternativë! Optimizmi im vjen nga dëshira e njerëzve për paqe dhe zhvillim, e jo konflikte e regres.
Shumë njerëz kanë frikë se lufta mund të jetë alternativa?
Hashim Thaçi: Jo, kurrë më nuk do të ketë luftë mes shqiptarëve edhe serbeve – pikërisht falë kësaj marrëveshjeje të paqes, që mund të arrihet në muajt e ardhshëm. Kush pengon arritjen e marrëveshjes së paqes, merr mbi supe përgjegjësinë e tragjedive të tjera ndëretnike shqiptaro-serbe e ndoshta edhe më gjerë.
Çështja më e diskutueshme është shkëmbimi i territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çfarë do të bëni?
Hashim Thaçi: Marrëveshjet e paqes synojnë balancimin e interesave të palëve. Kosova ka pasur sukses, sepse gjithmonë ka bërë kompromise me bashkësinë ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë do të rregullonte të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës: personat e pagjetur, refugjatët, bashkëpunimin ekonomik, Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe, mbi të gjitha, kufirin mes dy vendeve. Marrëveshja do të jetë përfundimtare.
Kur do të arrihet marrëveshja e paqes?
Hashim Thaçi: Rruga drejt paqes patjetër do të jetë shumë më e shkurtër se periudha e gjatë e konflikteve të së kaluarës. 13,000 kosovarë u vranë nga shteti serb, 20,000 gra u përdhunuan dhe më shumë se një milion njerëz janë detyruar të shpërngulën. Fatkeqësisht, asnjë nga këto ngjarje nuk janë trajtuar në ndonjë gjykatë deri më sot. Megjithatë, ne nuk mund të jetojmë në të kaluarën, por duhet të shohim përpara. Ne kemi nevojë për vendime, në mënyrë që mos të përsëritet historia. Me paqe do të fitojnë të gjithë, me luftë do të humbasin të gjithë. Njerëzit nuk duan më luftë, por paqe, drejtësi, zhvillim dhe mirëqenie.
Njerëzit nuk duan kurrë luftë, por politikanët gjithmonë i nxisin luftërat…
Hashim Thaçi: Po, ka ende njerëz në Serbi dhe Kosovë që flasin për luftë. Kjo është e rrezikshme. Kjo e bën marrëveshjen e paqes edhe më të rëndësishme. Nëse dështojmë të arrijmë marrëveshje tani, nuk mund të përjashtoj që në të ardhmen do të ketë përsëri konflikt. Ne vërejmë se nacionalizmi dhe radikalizmi po rriten në të dyja anët. Tani është momenti më përshtatshëm për paqen.