Site icon Telegrafi

Thaçi pemton më shumë përkrahje për shqiptarët e Luginës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot një delegacion të Luginës së Preshevës të kryesuar nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Jonuz Musliu.

Presidenti Thaçi dhe kryetari Musliu biseduan për gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.

Thaçi theksoi se me konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, do të rriten edhe mundësitë për t’i mbështetur më shumë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Respektimi i të drejtave të pakicave është njëri prej kritereve kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe asnjë shtet kandidat, përfshirë këtu edhe Serbinë, nuk mund të avancojë në procese integruese pa i përmbushur standardet më të larta të respektimit të pakicave”, ka thënë presidenti Thaçi, transmeton Telegrafi.

Edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, i cili shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit Komunal të Preshevës, Ardita Sinani, si dhe nga Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, duke folur për nivelin e bashkëpunimit mes autoriteteve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës, theksoi se ekzistojnë mundësi të shumta për ta thelluar këtë bashkëpunim.

Presidenti Thaçi dhe kryetari Musliu biseduan edhe për rëndësinë e veçantë të rritjes së bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe shkëmbimeve tregtare me këto tri komuna shqiptare, në mënyrë që të përmirësohet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës. /Telegrafi/

Exit mobile version