Site icon Telegrafi

Thaçi: PDSH do të jetë opozitë konstruktive dhe do të përkrah nismat për avancimin e shqiptarëve

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, sot ka pritur në takim ambasadorin e BE-së në vend, Samuel Zhbogar. Nga PDSH njoftojnë se në takim është biseduar për tema lidhur me situatën aktuale politike, si dhe për reformat që vendi duhet t’i zbatojë në rrugën drejt integrimit euro-atlantik, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Thaçi e njoftoi Ambasadorin e BE-së me qëndrimet e PDSH-së rreth situatës politike në vend, si dhe me pikëpamjet e PDSH-së për zgjidhjen e problemeve të brendshme. Thaçi konstatoi se problemet kryesore të Maqedonisë janë proceset integruese që lidhen edhe me çështjen e emrit, të drejtat e shqiptarëve, si dhe funksionimi i institucioneve, andaj Partia Demokratike Shqiptare si parti opozitare do të jetë konstruktive dhe do të përkrah çdo nismë institucionale që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, me reformat e mirëfillta, si dhe me zhbllokimin e proceseve integruese”, thuhet në njoftimin e PDSH-së.

Bashkëbiseduesit në takim kanë rënë dakord se vazhdimi i dialogu politik është me rëndësi të veçantë, veçanërisht për vendet aspirantë dhe se do të ndikonte në adresimin e drejtë të temave që kanë të bëjnë me reformat e mirëfillta, ku të gjitha palët duhet të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të ndihmojnë lëvizjen e proceseve përpara drejt integrimit në NATO dhe BE./Telegrafi/

Exit mobile version