Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka takuar zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence në kryeqytetin e Malit të Zi, duke e quajtur një takim miqësor, por edhe përmbajtësor.
“Sapo pata një bisedë tepër miqësore, por edhe përmbajtësore, me zëvendëspresidentin Pence të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova tani, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.
Prandaj, po punojmë bashkërisht për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si forcë mbrojtëse profesionale e multi-etnike në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Prandaj jemi të pakompromis në luftimin e çdo ekstremizmi, radikalizmi dhe terrorizmi; prandaj jemi të përcaktuar për dialog e marrëdhënie të mira fqinjësore.
Kjo është mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë për partneritetin dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SHBA-ja ka qenë me ne në të kaluarën dhe do të jemi bashkë edhe në të ardhmen. Lidershipi amerikan është i pazëvendësueshëm për aspiratën tonë euro – atlantike”(sic), ka shkruar Thaçi në Facebook. /Telegrafi/