Telegrafi

Thaçi: Pas marrëveshjes me Serbinë do të kemi një ambasadë në Moskë

Presidenti i Kosovës, në një intervistë për mediumin austriak kurier.at ka folur rreth dialogut me Serbinë, mbi taksën e vendosur për produktet serbe, mundësinë e korrigjimit të kufijve dhe liberalizimin e vizave.

Në këtë drejtim, përcjell Telegrafi, Thaçi ka thënë se pret që pas marrëveshjes me Serbinë të kemi një njohje edhe nga Rusia, pas së cilës ka thënë se Kosova do të ketë një ambasadë në kryeqytetin rus, Moskë.

“Unë besoj dhe punoj për të siguruar që Republika e Kosovës të ketë një vend në OKB dhe të njihet në nivel global… BE dhe Federica Mogherini udhëheqin këtë proces dialogu. Kemi mbështetje të madhe nga SHBA, sidomos Donald Trump. Gjithashtu (mund të ketë) një pranim nga Rusia, nëse kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kjo mungonte në të kaluarën. Është një moment i përshtatshëm në nivel ndërkombëtar. Nëse një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e pranuar nga BE, SHBA dhe Rusia, kjo do të nënkuptonte mbështetje globale”, ka thënë Thaçi.

“Pas kësaj marrëveshje, Kosova së shpejti do të ketë një ambasadë në Moskë”, ka shtuar tutje Thaçi.

Përveç kësaj, presidenti Thaçi ka folur edhe rreth vendosjes së taksës për produktet serbe, për çka Thaçi ka thënë se Kosova u detyrua të merrte masa të tilla në një formë apo në një tjetër.

“Ne do të bëjmë çmos për të mos e komplikuar dialogun. Por Serbia nuk duhet të vendosë kushte për vazhdimin e dialogut. Shpresoj se bllokada do të përfundojë së shpejti”, ka thënë Thaçi, përcjell Telegrafi.

Ndërsa duke folur për shkëmbimin e territoreve, Thaçi ka thënë se marrëveshja me Serbinë do të jetë gjithëpërfshirëse.

“Po flas për kufijtë e hapur dhe jo për vija etnike, pra për një model evropian. Jam i bindur se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të mundësojë një bashkëpunim të përsosur në rajon”

Presidenti Thaçi në intervistën për mediumin austriak ka përmendur edhe faktin se qytetarët e Kosovës deri më tani nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë.

“Kjo është me të vërtetë një padrejtësi në lidhje me qytetarët e Kosovës. Republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kriteret, madje edhe më shumë se të tjerët në rajon. Megjithatë, ekziston vetëm një mënyrë: integrimi evropian. Ne jemi të zhgënjyer, por nuk do të largohemi nga ky rrugëtim”. /Telegrafi/