Telegrafi

Thaçi pas humbjes nga Drita: U ndëshkuam nga gabimet, shumë penallti të akorduara kundër nesh

Trajneri i Malishevës, Arsim Thaçi ka folur pas humbjes nga Drita, ndërsa është ankuar në numrin e madh të penalltive ndaj tyre.

Malisheva ka humbur si vendas nga Drita me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në BKT Superligën e Kosovës.

Kjo humbje ka lënë shije të hidhur te trajneri i malishevasve, Thaçi, i cili tha pas ndeshjes ishin të vetëdijshëm që luajtën kundër një kundërshtari shumë të fortë, por që u ankua edhe për numrin e madh të penalltive të akorduara ndaj tyre.

Lexo po ashtu Nuhiu i lumtur me fitoren ndaj Malishevës, flet edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Ballkanit

“Ne ishim të vetëdijshëm se kemi një ekip shumë cilësor para vetes. Si ekip vendas jemi një skuadër e fortë, por ekipet me përvojë si Drita të ndëshkojnë për gabime”, ka thënë fillimisht Thaçi pas ndeshjes.

“Mund të kishim reaguar më mirë për golin e parë të pësuar. Në tre ndeshjet e fundit janë katër penallti ndaj nesh, mendoj se është një numër shumë i madh, megjithatë dikush tjetër e vlerëson”.

“Jemi përpjekur të rikthehemi në lojë, shpresoj që në ndeshjet e sezonit të vazhdojmë me ritmin e rezultateve pozitive“, përfundoi trajneri i Malishevës. /Telegrafi/