Site icon Telegrafi

Thaçi, Pacolli, Krasniqi dhe Kosova

E identifikuan me terma të ndryshëm këto ditët e fundit. Kush e quajti autoritar, kush totalitar e kush edhe liderist. Gjithsecili nga këndvështrimi i vet, interesi dhe profesioni. Varësisht këtyre termave u identifikua edhe partia e tij, PDK. E ngushtë, tepër e ngushtë, duket të jetë lëkura e kryeministrit të rizgjedhur të Kosovës për t’u përballë me të papriturat e kohës. E rëndë, tejet e rëndë akuza e Dick Martit. E sikletshme mospjesëmarrja e partive te tjera në qeveri për shkakun e tij. Ekstremisht e rëndë mospërkrahja e shokëve të partisë dhe marifetet e tyre të këtyre ditëve.

Hashim Thaçi është dhe s’është. Nga çasti kur Dick Marti lansoi deklaratën e parë për tregti me organe njerëzish, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Imazhi i tij u zbeh, derisa paqëndrueshmëria dhe nervozizmi udhëheqin personalitetin e tij. Kjo u pa të jetë prezente në shumë nga ngjarjet e rëndësishme që përfshin vendin këta muajt e fundit. Prishja e koalicionit qeverisës PDK-LDK, pazaret për rrëzimin e Qeverisë, Rezoluta famëkeqe e Parlamentit Evropian, korrupsioni, zgjedhjet e manipuluara, më të keqet në historinë e shtetit të Kosovës dhe krejt në fund formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e çuditshme e Presidentit Pacolli me nënkëmbëzat e këtij procesi.

Behxhet Pacolli arriti të jetë i pari i Kosovës, jo me pak vështirësi. Në padijeni për kundërshtarët e shumtë brenda dhe jashtë Kosovës ai për të satën herë me radhë shfaqi ambiciet e tij për të qenë President i vendit. Sherri plasi, kur edhe brenda vet partisë së PDK-së e cila i bëri ofertën, u shfaqën mospajtime dhe kundërshti për nominimin e tij. Baca Jakup tashmë ishte akomoduar në rolin e Presidentit në detyrë dhe me gjasë i pëlqente të mbetej aty. Me përkrahjen e disa deputeteve ai po lobonte për të mos votuar Pacollin. Kjo u pa të jetë prezente edhe me rastin e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme dhe votimit të Presidentit. Kundërshti të thella, padëgjueshmëria dhe iniciativa që sheshit nxirrnin mospajtimet dhe çarjet brenda PDK-së. Gjë e cila reflektoi një komedi të paparë gjer më atëherë nga vet deputetët e asaj partie.

Zgjedhja e Pacollit President i vendit, ka ngjallur dhe do ngjallë dilema të mëdha, si në të tashmen ashtu edhe në të ardhmen. Kjo varësisht qejfeve dhe tekeve të dikujt. Varësisht prezencës në vendimmarrje e pozicioneve. Varësisht ndikimeve. Por jo të gjithë e kundërshtojnë zgjedhjen e tij. Përveç ndërkombëtarëve, partive politike kosovare dhe mediumeve që zëshëm, me ose pa presion luftuan zgjedhjen e tij, qytetarët, bile një pjesë e madhe e tyre e mirëpresin prezencën e tij.

Behxhet Pacolli sot ka pozicionin e të parit të shtetit. Me ose pa qejfin e dikujt. Pa oratori dhe krejt i thjeshtë ai ka vendosur të vazhdoj punën dhe lobimin e tij të palodhshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Qe besa edhe ka nisur një qasje tjetër ndryshe nga Presidentët e mëhershëm. Qysh në ditën e parë të punës ai vizitoi varrin e Presidentit Ibrahim Rugova, familjet Jashari e Pajaziti dhe familje tjera deshmorësh. Bile-bile ai arriti të kalojë edhe në pjesën veriore të Mitrovicës duke premtuar luftim të bandave kriminale, strukturave paralele gjë që Presidentët e mëhershëm se kishin bërë.

Jakup Krasniqi me gjithë mundësinë që përmes foltores në Kuvend të kundërshtoj zgjedhjen e Pacollit President dhe shefit të tij Hashim Thaçit, nuk shihet si një personalitet unifikues në shoqëri. Përsiatjet e tij dhe mosdëgjueshmëria më shumë shihen si politikë përfituese. Ai, ose është verbuar krejtësisht nga dëshira për të patur postin e Presidentit të Kosovës ose po e shfrytëzon imazhin e plagosur të Hashim Thaçit për të dominuar në skenën politike. Të ketë rolin standard në politikën që po çalon. Imazhi i Hashim Thaçit dhe imazhi Kosovës janë të lidhur drejtpërdrejtë, sado tjetërsohen. I njëjti imazh do t’i përcjellë viteve në vazhdim. Andaj është e papranueshme dhe e palogjikshme që kësaj po i shërben e gjithë kasta politike në vend pa përjashtim. E edhe Jakup Krasniqi. Sado i vogël që është!.

Kosova, është këtu ku është dhe për këtë fajin e kanë të gjithë. Pozitë dhe opozitë. Hiq Vetëvendosjen këtu. Nëse ka një fakt që do të amnistonte opozitën për mospjesëmarrje në qeverisje, atëherë ka një akuzë kundrejt tyre. Pse nuk punuan për ta parandaluar këtë të keqe?. Sado e heshtur LDK-ja, ajo është bashkëfajtore në zhytjen e vendit në krizë institucionale dhe politike. Tërheqja e saj nga koalicioni la të kuptohet se krejt në fund interesat partiake ishin më të rëndësishme se ato të shtetit. Qeveria çfarë e kemi momentalisht është qeveri e zorit dhe këtë e din të gjithë. Pa përjashtim. Pa mundësi të tjera zgjedhjeje. Me një LDK të thinjur që në çastet më vendimtare u tregua përjashtuese. Me një AAK të pazot shtëpie që kishte hise përllogaritjet e gabuara matematikore. Me Vetëvendosjen që panda kundërshton.

Qeveria që e kemi është produkt i thartë dhe e papëlqyer nga shumëkush. Është kulminacioni i papërgjegjësisë të secilës parti. Çdo dështim në zgjedhjen e Presidentit dhe Qeverisë dhe reputacioni i Kosovës do të nëpërkëmbej edhe më. Dhe këtë prapë e din të gjithë. Mesazhet dhe thirrjet telefonike të Ambasadorit Dell qofshin ato edhe të gabuara dhe ndërhyrjen në zgjedhjen e institucioneve, kanë edhe anën pozitive. Sado të dhimbshme.

Exit mobile version