Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se numri i veteranëve të ish – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë nga 12 deri në 15 mijë sosh.
Ai këto komente i ka bërë në një konferencë të zhvilluar për media.
“Sapo përfundova një takim më udhëheqësit e sektorit të drejtësisë në Kosovë, dhe erdhëm në përfundim se sundimi i ligjit ka qenë dhe është si prioritet i institucioneve të Kosovës. Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së veteranëve të luftës”, ka theksuar Thaçi.
Më tutje i pari i Kosovës ka thënë se ata që e kanë keqpërdorur dhe kanë abuzuar me nderin e luftëtarit të vërtetë të UÇK-së, duhet të ndiqen nga drejtësia.
“Ftoj që të ndalet çdo presion apo kërcënim ndaj organeve të drejtësisë, në të njëjtën kohë ftoj bartësit e institucioneve të jenë të përgjegjshëm”, ka shtuar Thaçi.
Ndryshe, ai ka treguar se të hënën ka zhvilluar një takim më bartësit e institucioneve të drejtësisë, në të cilin takim sipas tij, është konstatuar se është arritur progres në këtë sektor. /Telegrafi/