Telegrafi

Thaçi nuk përmend formula të mundshme për krijimin e qeverisë

Vetëm pak minuta pas këtij vendimi formal të presidentit Sejdiu, Thaçi filloi konsultimet me liderët partiakë duke ftuar të parin në bisedime presidentin Sejdiu që është kryetar i partisë së dytë në Kosovë, LDK-së.

Menjëherë pas takimit me Sejdiun, Thaçi paralajmëroi se do të takojë liderin e partisë së tretë, Behgjet Pacollin, për të vazhduar me vonë edhe me takime me kryetarë të tjerë partish, që e kanë kaluar pragun zgjedhor.

Ai madje ka paralajmëruar se në bisedime për qeverinë e re do të ftojë edhe Veton Surroin i cili këtë herë nuk mundi ta kalojë pragun zgjedhor.

Lideri i PDK-së, partia e të cilit në zgjedhjet e nëntorit mori 35 për qind të votave, Hashim Thaçi, ka deklaruar se do të jetë i hapur për të gjithë që duan të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, por nuk ka përmendur ndonjë formulë të mundshme për krijimin e saj.

Analistët vërejnë se nuk përjashtohet mundësia që qeveria e ardhshme e Kosovës, të jetë një qeveri koalicioni ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, si tri fituese të pushtetit edhe në nivelin lokal. /bbc/