“Zgjedhje lokale do të ketë në nëntor, ndërsa unë jam për respektimin e kushtetutshmërisë dhe konsensusit ndërpartiak. Kërkesat për zgjedhjet nga këta individë nuk janë serioze, por janë më tepër sa për të bërë zhurmë. Ata nuk janë në favor të organizimit të zgjedhjeve dhe e dinë se do të ndahen edhe më keq sesa në zgjedhjet e 17 nëntorit. Me këtë sjellje destruktive të këtyre individëve, qytetarët edhe atë besim prej 7 apo 8 për qind do t’ua marrin në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Thaçi për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se, “edhe LDK-ja pret që të jetë e gatshme për zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2009, por jo edhe për zgjedhjet parlamentare”.
Në anën tjetër, partitë opozitare, synim kryesor kanë përgatitjet për zgjedhjet në të dyja nivelet. Duke u thirrur në pakon e Ahtisaarit, këto parti presin që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të mbahen në vjeshtë. Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se zgjedhjet e lira janë të domosdoshme për realitetin e ri që është krijuar në Kosovën e pavarur.
”Zgjedhjet duhet të mbahen vitin e ardhshëm dhe për këtë ekzistojnë tri argumente. Ekziston Kushtetuta e Kosovës, e cila është treguesi i mjaftueshëm, për arsye se këto institucione të sotme janë të dala nga korniza kushtetuese dhe për atë s’po mund ta zbatojmë Kushtetutën e Kosovës. Argumenti i dytë është pakoja e Ahtisaarit, të cilën nëse e kanë marrë për obligim ta zbatojnë institucionet e Kosovës, atëherë duhet ta zbatojnë; dhe elementi i tretë – gjendja e partive politike, të cilat janë në rrugë të reformimit të tyre dhe duhet t’u përgjigjen kushteve që janë pas pavarësisë së vendit”, ka thënë Isufi.
Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca Kosova e Re, prioritet kryesor e ka mbajtjen e zgjedhjeve. Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se zgjedhjet në të dyja nivelet janë të domosdoshme për të përmbushur krijimin e institucioneve të reja në Republikën e Kosovës.
Prioritete identike me dy partitë tjera opozitare ka edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë. Sekretari i saj i përgjithshëm, Lulëzim Zeneli, tha se mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare është një prej obligimeve që ka marrë Kosova para faktorit ndërkombëtar në kohën e shpalljes së pavarësisë. /rel/telegrafi/