Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se për shkak të interesave të ngushta, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e FSK-së në FAK. Thaçi megjithatë, ka theksuar se Kosova duhet t’a ketë ushtrinë e saj.
Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij pro transformimin e FSK-së në ushtri.
“Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim”, ka shkruar ndër të tjerash Thaçi në Facebook.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot ka votuar pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Shkrimi i plotë:
Për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Unë vazhdimisht kam qenë konsistent në këtë pikë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj.
Me iniciativën time si president, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi. Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë.
Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim.
Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi.
Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën.