Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim komandantin e parë të KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Sir Michael David Jackson, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Gjatë këtij takimi me gjeneralin Jackson, Thaçi ka folur edhe për objektin e kishës ortodokse e cila gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Thaçi ka theksuar se çështja e kësaj kishe duhet të zgjidhet me dialog dhe përmes rrugëve institucionale dhe legale.
Ai ka shtuar se assesi nuk bënë të kopjojmë stilin e Millosheviqit.
“Ne në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë që të kopjojmë formën, metodat dhe stilin e Millosheviqit. Ne njohim kushtet, rrethanat e disfavorshme të Kosovës kur ka filluar ndërtimi i këtij objekti në kampusin universitar. Unë kam protestuar dhe luftuar kundër regjimit të Millosheviqit dhe punës së tij apo veprimet e tij që i ka bërë në Kosovë. Tash jemi në një rrethanë tjetër, jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi më tej ka theksuar se “ne nuk mund të dërgojmë dhe nuk guxojmë të dërgojmë mesazhe që njerëzit e Kosovës mund të lëvizin drejt Evropës duke rrënuar xhamia e kisha”./Telegrafi/