Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka qëndruar sot në veri të Mitrovicës ku ka vizituar Liqenin e Ujmanit.
Thaçi për gjysmë ore ka lundruar me barkë në Liqenin e Ujmanit ku ka vizituar edhe piken kufitare në Bërnjak.
Nga atje presidenti Thaçi ka dërguar mesazhin se Kosova është e lirë dhe e pavarur.
“Dërgoj mesazhin për të gjithë qytetarët që të punojmë së bashku për Kosovën e re. Kosova është një, është e pavarur dhe sovrane. Bisedat që do të zhvillohen në ditët, javët dhe muajt në vazhdim në Bruksel do të jenë për paqe, stabilitet dhe njohje reciproke”, ka thënë Thaçi.
Ai e ka quajtur vizitë rutinore, vizitën e tij në Ujman.
“Ishte një mrekulli ti shihje gjithë njerëzit duke punuar të gjitha nacionaliteteve pa dallim. Unë zakonisht vikendet i kaloj duke ecur nëpër bukuritë e Kosovës. Sot pas kësaj vizite vendosa që të bëjë një gjiro lundrimi në këtë vend të bukur dhe të pakrahasueshëm të Kosovës. Ishte një shëtitje e bukur në liqenin e Ujmanit në këtë aset të rëndësishëm energjetik të Kosovës”, u shpreh Thaçi.
Kujtojmë se kjo vizitë e presidentit Thaçi ka nxitur reagime të shumta në Serbi,ku presidenti Aleksandar Vuçiq ka dhënë urdhër që ushtria e Serbisë të vihet në gjendje gatishmërie për luftë. /Telegrafi/