Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nëse nuk do t’i mundësohet raportimi në Kuvendin e Kosovës, ai do t’i drejtohet qytetarëve përmes një konference për media.
Thaçi ka deklaruar se askush nuk është pronar i Kuvendit, transmeton Telegrafi.
“Nëse më pamundësohet sot raportimi unë do ta bëjë kërkesë tjetër sepse askush nuk është pronar i Kuvendit dhe nuk mund të uzurpohet. Kam kërkuar edhe në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti këtij viti që ta informoj kuvendin për punët e mia, por më është pamundësuar. Do t’i ftojë të gjithë liderët e partive të spektrit politik kosovar, përfshirë kryetarin e Vetëvendosjes, të LDK-së, të PDK-së, të AAK-së, Pacollin. Është e drejtë imja kushtetuese por nëse më pamundësohet raportimi në Kuvend, mundësia ime e vetme si President i Republikës së Kosovës i zgjedhur nga Kuvendi është që t’u drejtohem qytetarëve përmes konferencës për shtyp që të përcillet ajo që ka ndodhur në Uashington”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka thënë se do të jetë transparent.
“Jam i vendosur që tërë angazhimi të jetë plotësisht transparent. Nëse deri tash dikush ka pas dilema, takimi i fundit ka qartësuar gjithçka. Jemi të bekuar, takimi na ka hequr çdo dilemë dhe enigmë, është proces në duar të sigurta me rol udhëheqës të SHBA-së. Të gjithë liderët e Kosovës jemi të zëvendësueshëm, roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm”, tha ai.
Ndryshe, presidenti Thaçi kishte kërkuar që seanca për raportim të mbahet sot duke filluar nga ora 16:00. /Telegrafi/