Site icon Telegrafi

Thaçi: Nëse eliminojmë edhe Ferizajn, synojmë kupën

2 Korrikut në rrethin e dytë të kupës i ka rënë hise të ndeshet me një tjetër pretendent, Ferizajn dhe sipas trajnerit prishtinas, Arsim Thaçi, nëse ata arrijnë ta kalojnë edhe këtë sfidë, atëherë ata do të synojnë edhe ta fitojnë krejt këtë trofe.

“Tash janë rrethanat krejt ndryshe. Me Trepçën’89 kemi luajtur në fushën tonë dhe nuk ka qenë befasi e madhe, tash me Ferizajn jemi mysafirë dhe kjo është shumë më e vështirë”, tha tekniku i 2 Korrikut, i cili gjithsesi nuk e përjashton mundësinë që edhe këtë ndeshje ta fitojnë.

“Jo nëse nuk besojmë në fitore, nuk do të shkojmë fare. Pra ne besojmë se do të bëjmë befasi dhe nëse ndodh, atëherë synimet tona do të jenë shumë më të mëdha. E dimë që do ta kemi vështirë, por futbollit si dihet”, shtoi Thaçi.

Çiftet tjera të kupës janë mësuar sot në lokalet e Federatës së Futbollit të Kosovës, ku është hedhur shorti. Nga ballafaqimet e rrethit të dytë më së shumti rivalitet, do të ketë në duelin e dyshes së Superligës, Trepça e Ferronikeli, ndërkohë që në ato të tjerat priten fitore të lehta të skuadrave favorite, kjo pasi që ato për dallim nga rrethi i parë këtë herë luajnë në fushën vendase.

Drita e Gjilanit para shikuesve të vet e pret befasinë, Vllazninë, ndërsa lideri i Superligës Llamkos Kosova në Vushtrri takohet me Tefik Çangën e Ferizajt. Edhe ky rreth i garave është me sistem eliminimi. Ndeshjet zhvillohen me 28, 29 e 30 nëntor, duke filluar nga ora 12:30. /Zëri/Telegrafi/

Çiftet e rrethit të dytë të kupës

Drita – Vllaznia
Besa – Fushë Kosova
Ferizaj – 2 Korriku
Hajvalia – Flamurtari
Drenica – Istogu
Llam.Kosova – Tefik Çanga
Gjilani – Ulpiana
Trepça – Ferronikeli 

Exit mobile version