Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare dyditore në Slloveni, ku do të pritet nga homologu i tij, presidenti slloven Borut Pahor dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit.
Në një njoftim për media thuhet se nesër në Lubjanë, presidenti Thaçi fillimisht do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin Pahor, me të cilin më pas do të dalin për një konferencë të përbashkët për media.
“Më pas, i pari i vendit do të ketë një drekë pune, me nikoqir kryeministrin slloven, Miro Cerar. Pasdite, presidenti Thaçi do të takohet edhe me kryetarin e Lubjanës, Zoran Jankoviq. Ditën e parë të vizitës zyrtare në shtetin slloven, presidenti Thaçi do ta mbyllë me një darkë zyrtare të shtruar nga homologu i tij slloven, Borut Pahor. Ndërkaq, në ditën e dytë të vizitës, Thaçi, do të marrë pjesë në konferencën e biznesit Slloveni-Kosovë, të organizuar nga Oda për Ekonomi dhe Industri e Sllovenisë, ku do të pritet nga presidenti slloven Pahor dhe zëvendëspresidenti i odës, Martin Novshak. Me këtë rast, presidenti Thaçi do të mbajë një fjalë rasti para t ë pranishmëve”, thuhet në njoftim.