Site icon Telegrafi

Thaçi: Në Samitin e Zagrebit ritheksova se Kosova po mbahet padrejtësisht e izoluar, BE-ja të na trajtojë si vend i pavarur dhe sovran

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se në Samitin e Zagrebit i cili u zhvillua dje në formën e video-konferencës, është diskutuar për çështjen e pandemisë COVID-19 dhe çështjet tjera.

Thaçi në një konferencë për media tha se në këtë Samit ka theksuar nevojën e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se Bashkimi Evropian po e mbanë Kosovën padrejtësisht të izoluar.

“Unë kam theksuar se Kosova si shteti më proevropian në rajon meriton trajtimin më të shpejtë, më të përgjegjshëm dhe më vendimmarrës nga ana e BE-së, vendimin e menjëhershëm për liberalizimin e vizave. Kjo vonesë po zbeh autoritetin e vendimmarrjes në Bruksel. Shtetet anëtare të BE-së duhet të lëvizin me urgjencë në këtë çështje. Kosova po mbahet padrejtë në izolim, pasi që kemi përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme”, tha Thaçi, shkruan Telegrafi.

Presidenti theksoi se një çështje tjetër që ka ngritur gjatë Samitit të Zagrebit ishte edhe agjenda e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.

“Për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi një angazhim më konkret nga BE-ja, duke u trajtuar si vend i pavarur dhe sovran. BE nuk mund të sillet neutral në raport me Kosovën. BE dhe shtetet anëtare duhet të marrin edhe fuqinë edhe guximin që të implementojnë vizionin për të ardhmen evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Thaçi.

Duke folur për çështjen e luftimit të pandemisë COVID-19, presidenti Thaçi tha se të gjithë pjesëmarrësit në këtë Samit kanë folur për sfidat e përballjes me pandeminë, duke shprehur ngushëllime për viktimat.

“Unë paraqita para tyre situatën në Kosovë, ku falë institucioneve tona të shëndetit publik kemi një numër të vogël viktimash. Fokusi mbetet edhe sot në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë, por me theks të veçantë prioriteti për ringjalljen e ekonomisë. Falënderoj shtetet e BE për ndihmën që i kanë dhënë institucioneve shëndetësore në Kosovë”, theksoi Thaçi.

Ai shtoi se përpos luftimit të kësaj pandemie, Kosova mbetet e përkushtuar në funksionimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. /Telegrafi/

Exit mobile version