Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha të mërkurën se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale dhe e gatshme për misionin e ri.
Thaçi këto komente i bëri në ceremoninë e ndërrimit të komandës, ndërmjet komandantit në largim të KFOR-it, gjeneral majorit Giovanni Fungo dhe komandantit të ardhshëm të KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci.
Thaçi me këtë rast falënderoi KFOR-in për shërbimin në Kosovë dhe tha se gëzon besimin më të madh të qytetarëve të vendit.
Presidenti tha se komandanti në largim i KFOR-it Giovani Fungo është mik i dëshmuar i Kosovës dhe rajonit.
“Sot me ndjenjë të mirënjohjes i them faleminderit dhe mirupafshim. Koha kur ka shërbyer Fungo ka qenë kohë e rëndësishme në vend. I jemi mirënjohës të gjithë ushtarëve që shërbejnë në KFOR.”, tha presidenti Thaçi.
Ai tha se angazhimi i KFOR-it ka bërë që të evitohen incidente në Kosovë dhe se duke forcuar paqen në Kosovë, forcon edhe paqen në rajon, raporton Telegrafi.
“FSK tani është e gatshme për kompetenca të reja dhe mision të ri”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi foli edhe për bashkëpunimin me vendet fqinje, duke thënë se nevojitet një marrëveshje e re me Serbinë për të shtruar një rrugë të re, të pajtimit ndërmjet dy shteteve.
Presidenti në fund ka dekoruar gjeneralin, Fungo me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Ndryshe, sot në selinë KFOR-it u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës, ndërmjet komandantit në largim të KFOR-it, gjeneral majorit Giovanni Fungo dhe komandantit të ardhshëm të KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci. /Telegrafi/