Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në drejtimin e tij të pranishmëve në Konferencën e Sigurisë së Munihut, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë, ka thënë se tash është koha për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi në këtë konferencë theksoi se Evropa është në udhëkryq, me zhvillime të shumta të cilat shtrojnë pikëpyetje për të ardhmen dhe se Ballkani Perëndimor ka mbetur i lënë në një situatë të paqartë.
“Jam i lumtur që jam në Bjellorusi, vizita e parë e një niveli të tillë në mes të dy vendeve”, ka thënë presidenti Thaçi, duke u fokusuar më pas në procesin nëpër të cilin po kalojnë Kosova dhe Serbia, në kërkim të një marrëveshjeje paqeje dhe pajtimi.
“Bota ka ndryshuar. Evropa është në udhëkryq, me zhvillime të shumta të cilat shtrojnë pikëpyetje për të ardhmen. Ballkani Perëndimor ka mbetur i lënë në një situatë të paqartë. Në këtë realitet, Kosova dhe Serbia e gjejnë veten në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Jemi duke i shqyrtuar të gjitha idetë. Sa i përket marrëveshjes, për asgjë nuk jemi marrë vesh akoma”, tha ai.
Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë është e vështirë, u shpreh Presidenti Thaçi, “Por, edhe në rrethana të tilla unë shoh dritë në fund të tunelit. Pse? Fillimisht, të dy shtetet, për këtë jam i bindur, e dinë se nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu siç janë sot. Status quo-ja e tanishme nuk mund të mbahet më. Konflikti i tanishëm i ngrirë i dëmton të dy vendet në të gjitha fushat e jetës, në integrim, zhvillim ekonomik, në siguri”.
Kreu i shtetit ka thënë se dialogu ka marrë mbështetje, por edhe disa kritika në vendet tona dhe ndërkombëtarisht.
“Nuk kam problem me këtë. Ishte e pritshme. Kritikat janë të shëndetshme për debatin e përgjithshëm, por edhe për vetë procesin. Posaçërisht, për një transparencë më të madhe dhe për përgjegjësi më të madhe të lidershipit, në të dy vendet. Në këtë proces, gjëja më e lehtë është të kritikosh. Dhe gjëja më e vështirë është të gjesh mënyrën për të arritur deri te marrëveshja. Duke arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të kemi më pak populizëm në rajonin tonë. Më pak nacionalizëm. Më pak zëra që thërrasin për luftë dhe tragjedi. Më pak urrejtje dhe hakmarrje”, u shpreh ai.
Presidenti Thaçi shtoi se qëllimi kryesor i procesit të dialogut është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore për njohje të ndërsjellë dhe ulëse të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Marrëveshja duhet të jetë për normalizim dhe pajtim në mes të dy vendeve dhe dy popujve. Një marrëveshje, e cila është e obligueshme ndërkombëtarisht në mënyrë ligjore. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen e dyanshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje, kjo dhe çfarëdo marrëveshje tjetër nuk do të kenë kuptim. Marrëveshja duhet të jetë përfundimtare, jo e përkohshme. Duhet të jetë një marrëveshje, e cila do t’i sjellë më shumë rehati fqinjëve tanë dhe mbarë rajonit. Më lejoni të jem shumë i qartë rreth pikës së mëposhtme: nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike dhe nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve. Do ta ruajmë shpirtin shumetnik dhe realitetin e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në Konferencën e Sigurisë së Munihut, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë, presidenti i vendit ka thënë se tani është momentumi i duhur për të vepruar drejt arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Çfarë të mirash do të sjellë marrëveshja për dy vendet dhe më gjerë? Kosova dhe Serbia do ta njohin njëra-tjetrën. Të dy vendet do të kenë një perspektivë më të qartë dhe më të sigurt evropiane. Do të prodhojmë më shumë paqe për rajonin. Energjitë tona do të fokusohen në zhvillim, ekonomi, edukim, integrim dhe bashkëpunim. Kosova do të njihet nga pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e njohin akoma. Kur Serbia ta njohë Kosovën, askush nuk do të mund të bëhet më serb se Serbia dhe të vazhdojë të mos e njohë Kosovën ose ta bllokojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit”, ka pohuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se lidershipi në Kosovë dhe Serbi e dëshiron një marrëveshje të paqes, BE-ja e dëshiron dhe po punon drejt arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe tani, pa hamendje, të gjithë duhet të lëvizim përpara. /Telegrafi/