Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në Vjenë homologun e tij austriak, Heinz Fischer.
Sipas një njoftimi të Presidencës, Thaçi e ka falënderuar presidentin Fischer për kontributin dhe interesimin e tij 12 vjeçar për Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi, si dhe për rolin Austrisë në të gjitha fazat e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Gjithashtu, presidenti Thaçi e ka njoftuar homologun e tij austriak edhe për proceset politike në Kosovë, për tejkalimin e krizës së brendshme dhe për marrëveshjen për EULEX-in.
“Kosova ka vetëm një perspektivë dhe ajo është e ardhmja euroatlantike. Ne do të punojmë vazhdimisht për t’u bërë sa më shpejtë anëtarë të BE-së dhe NATO-s. Ju jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që na keni dhënë në procesin e integrimit, për liberalizimin e vizave, si dhe shpresojmë që Komisioni Evropian shumë shpejt do ta marrë vendimin që Kosovës t’i hiqen vizat”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.
Sipas njoftimit, presidenti Fischer është shprehur i kënaqur me zhvillimet e fundit, veçanërisht pasi që nga vizita e tij e fundit në Kosovë, situata politike në vend ka ndryshuar dhe është më e qetë, si dhe ka uruar presidentin Thaçi për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hyrje të shtetit kosovar në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka siguruar homologun e tij austriak se do të vazhdojë dialogu me Serbinë, se shumë shpejt do të fillojë të hartohet edhe statusi për Asociacionin e komunave më shumicë serbe dhe se do të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel”, përfundohet në njoftim. /Telegrafi/