Site icon Telegrafi

Thaçi nderon presidentin Trump me urdhrin më të lartë shtetëror dhe e fton ta vizitojë Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror “Urdhrin e Lirisë” për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe e ka ftuar atë që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt.

Thaçi këtë urdhër e ndau në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Zyra e Presidentit.

“I pari i shtetit, në letrën drejtuar presidentit Trump, ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë.

Kjo është letra e plotë e presidentit Thaçi drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump:

I dashur z. President,
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike.
Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot.
Më lejoni të ju siguroj që Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Është më e qartë se kurrë, që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj.
Z. President, kam privilegjin, si President i Republikës së Kosovës, që në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik, të ndaj për ju Urdhrin e Lirisë.
Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, z. Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit z. Richard Grenell. Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington.
Në emër të popullit të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju ftoj që ta vizitoni Kosovën dhe të bindeni për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë.
Sinqerisht,
Hashim Thaçi

Exit mobile version