Site icon Telegrafi

Thaçi ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për Shaban Polluzhën: Ishte frymëzues për shumë breza

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Akademinë Përkujtimore për heroin Shaban Polluzha, me rastin e 75 vjetorit të rënies së tij tha se e nderojnë me pietetin më të lartë dhe me përgjegjësinë më të lartë shtetërore Shaban Polluzhën dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij.

Kreu i shtetit në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese, në 75 vjetorin e rënies së Polluzhës, sot ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për komandantin Shaban Polluzha.

Thaçi në akademinë përkujtimore për heroin Shaban Polluzha, tha se Kosova dhe Drenica përjetuan terrorin dhe krimet më të tmerrshme të diktaturës komuniste në dimrin e vitit 1944-1945

“Është në nderin e kombit shqiptar rreshtimi në kampin antifashist në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Rreshtim me vlerat demokratike dhe civilizuese. Radhitja në bllokun antifashist ishte shpresë se çështja e Kosovës do të zgjidhej, duke u bazuar në vullnetin politik të njerëzve të Kosovës. Ky vullnet ishte shprehur në Konferencën e Bujanit. Por, për fat të keq ëndrra për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë do të vritej nga kreu politik dhe ushtarak jugosllav. Kjo shpresë u vra edhe nga njerëzit e instaluar të Jugosllavisë në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Periudha tremujore: dhjetor 1944, janar dhe shkurt 1945, ishte ndër periudhat më tragjike, por edhe më heroike e popullit shqiptar në Kosovë. Një burrë Drenice, në moshën 74 vjeçare, kishte vendosur që ta ndajë fatin dhe udhëheq popullin e pambrojtur. Me paramendim dhe me strategji të qartë antishqiptare, kreu politik e ushtarak i Jugosllavisë me gjithë aparatin shtetëror filloi zbatimin e likuidimit të çdo atdhetari që kundërshtonte Jugosllavinë. Mijëra shtëpi u dogjën, mijëra civilë të pa armatosur u vranë dhe u masakruan. Më 8 shkurt 1945, kreu jugosllav e futi Kosovën nën masat e administrimit ushtarak, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai shtoi se objekt i këtij i këtij administrimi u bë e tërë Kosova, me fokus të veçantë Drenica e Hasan Prishtinës dhe Azem e Shotë Galicës.

“Synim i sulmit dhe goditjes u bë Drenica e komandantit Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Ai në krye të një numri të madh luftëtarësh vendosi që ta ndajë fatin me njerëzit e pambrojtur. Rezistenca u shua me gjak. Pas shuarjes së kryengritjes së Shaban Polluzhës, Kosova dhunshëm u aneksua nga Serbia në korrik të vitit 1945 në Mbledhjen e Prizrenit. Ky krim do të mbahej gjatë i heshtur”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi shtoi se zona ku ndodhi kryengritja më e madhe antikomuniste pas luftës së Dytë Botërore u diskriminua për 5 dekada me radhë.

“U diskriminua me moszhvillim, me izolim, me injorim nga të gjitha pushtetet që u instaluan në atë kohë, ai jugosllav dhe ai i instaluar në Kosovë. Emri i komandantit Shaban Polluzha u ndalua zyrtarisht, por asnjëherë nga mendjet e ndritura dhe zemrat e pastra atdhetare në Kosovë. Historia ndërroi rrjedhën dhe nga një figurë e ndaluar, Shaban Polluzha sot zë vendin e duhur në historinë moderne të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se ai qëndroi në anën e popullit në të gjitha periudhat e historisë.

“Ai mbrojti popullatën boshnjake nga sulmet çetnike në Kolashin dhe Novi Pazar, dhe ende në kujtesën e tyre çmohet si hero. Në periudhën e sundimit turk, pastaj serb, bullgar, italian dhe gjerman, Shaban Polluzha mbrojti interesat kombëtare të Kosovës. Sado në kushte jo të favorshme historike, me luftën e tij kundër aspiratave shoviniste dhe shkombëtarizuese të komunizmit jugosllav, Shaban Polluzha u bë frymëzues për breza të tërë, që u angazhuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se pa luftën e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe gjithë bashkëluftëtarëve të tyre nga Drenica dhe gjitha hapësirat shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj nuk do të ndodhnin as rezistencat e mëvonshme të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, si Lëvizja për Liri, Pavarësi e Bashkim e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, demonstratat e vitit 68 dhe 81 për Republikë dhe Pavarësi, as grevat e minatorëve dhe nuk do të ndodhte as ky progres i Kosovës e nuk do të lindte as Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe nuk do të ndodhte fare liria dhe pavarësia e Kosovës.

“Çdoherë me përulësi do ta kujtojmë jetën, veprën dhe luftën e komandantit Shaban Polluzha, Mehmet Gradicës dhe gjithë bashkëluftëtarëve ndër breza që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, përfundoi presidenti Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version