Site icon Telegrafi

Thaçi: Gjasat për marrëveshje me Serbinë janë minimale

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka thënë se mundësitë për të arritur një marrëveshje me Serbinë janë jashtëzakonisht të vogla.

Thaçi në këtë konferencë për media lidhur me dialogun me Serbinë tha se vikendin e kaluar mekanizmat e sigurisë ishin të fokusuara në tejkalimin e çdo të papriture në veri të Kosovës.

“Mekanizmat e sigurisë ishin të fokusuar në tejkalimin e çdo të papriture apo befasie në vikendin e kaluar. Uroj që të mos kemi asnjë incident, asnjë problem, asnjë situatë që të mund të shkonte si mesazh i keq për Kosovën në botë”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu tha se Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet nga marrëveshjet  të cilat janë nënshkruar në Bruksel.

“Themelimi i ASK-së do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kosova vazhdon të jetë e interesuar për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Po i kalojmë ditët e nxehta të verës dhe debatet po bëhen gjithnjë më dinamike dhe produktive, e kjo është një gjë e mirë”, potencoi Thaçi.

Presidenti i vendit përsëriti edhe njëherë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi është i vështirë, i rëndë por sipas tij i domosdoshëm.

“Ky është një proces jashtëzakonisht i vështirë, i rëndë por i domosdoshëm. Dialogu ka vetë një qëllim thelbësorë arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha ndër të tjera Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version