Telegrafi

Thaçi mesazh opozitës: Ata që e bojkotojnë dialogun, bëhen pjesë e ngrirjes së perspektivës evropiane

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në konferencën për media lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka dhënë edhe një mesazh për partitë politike e në veçanti për opozitën e cila po e kundërshton që Thaçi të jetë udhëheqës i këtij dialogu.

Ai ka thënë se ajo palë që e kundërshton dhe bojkoton dialogun, do të jetë e përfshirë në ngrirjen e perspektivës evropiane.

“Ne nuk kemi kohë të humbur, pala që refuzon dialogun dhe bojkoton, natyrisht se do të jetë pala stagnuese e cila do të përfshihet në një proces të status quos apo ngrirjes së perspektivës evropiane”, ka thënë Thaçi, transmeton Telegrafi.

Ai ka theksuar se mirëpret takimet e spektrit politikë që për çështjet madhore të merren vesh

“Institucionet e Kosovës janë kredibile, dhe roli i tyre është i pazëvendësueshëm. Vlerësoj lartë se ka hapësirë shumë për të punuar bashkërisht. Kam diskutuar me bartësit e institucioneve, kam biseduar me krerët e partnerit të koalicionit, në mënyrë që të marrim orientimin e përbashkët rreth kësaj çështje dhe të evitojmë çdo spekulim të mundshëm “, tha Thaçi.

Ai shtoi se beteja me Serbinë nuk bëhet duke bojkotuar dialogun por në tavolinë me argumente. /Telegrafi/