Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të 10-vjetorit të Pavarësisë disa nga oficerët e parë të UÇK-së.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Ushtria e Kosovës është meritë e të gjithë qytetarëve tanë.
“Kosova e kishte krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, para se ta shpallte pavarësinë e saj. Një dekadë pas, në këtë fundvit kur unanimisht në Kuvend u votua krijimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës, me Medaljen Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë i dekorova disa prej oficerëve të parë të UÇK-së. Këtë medalje, sot e ndava për Kadri Kastratin, Binak Gashin, Mahir Hasanin, Mensur Kasumin, Hysni Ahmetin dhe dëshmorin Agim Qela. Ushtria e Kosovës është meritë e të gjithë qytetarëve tanë”, shkruan Thaçi. /Telegrafi/