E plotësuar – Presidenti Thaçi u ka thënë pjesëtarëve të FSK-së se Kosova duhet të përfundojë tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të themelojë ushtrinë shumetnike, pra Forcat e Armatosura të Kosovës.
Ai ka thënë se këtë jemi duke e bërë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tanë.
“Ashtu siç jeni sot, ju do të jeni forcë multietnike, profesionale, mbrojtëse, që do të përfaqësoni me krenari shtetin tonë. Kosova duhet të ketë kapacitet të plotë mbrojtës dhe një ushtri moderne, që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë. Ashtu siç po e dëshmoni çdo herë, ju pjesëtarë të FSK-së po shkëlqeni në secilin ushtrim apo garë ku merrni pjesë. Ju po shkëlqeni në akademi ushtarake të njohura në botë. Uniforma që ju bartni, është ëndrra e stërgjyshërve tuaj, e kthyer në realitet.
Ju jeni profesionistë dhe keni shumë për t’u dhënë misioneve të ndryshme paqeruajtëse. Por, para së gjithash, ju e meritoni shansin e realizimit të potencialit të tuaj, duke u bërë së shpejti pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ne jemi duke shikuar drejt ardhmërisë, por asnjëherë nuk do të harrojmë të gjithë ata që dhanë shumë për vendin tonë.
Në themelet e lirisë sonë qëndron kontributi dhe sakrifica e shumë veteranëve të UÇK-së, që kurrë nuk hoqën dorë nga ëndrra e lirisë. Ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona që të sigurojmë mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme për veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve. Këtë do ta bëjmë jo në dëm të funksionimit të shtetit, sepse këtë jam i sigurt se askush nga ata nuk dëshiron të dëmtojë qëndrueshmërinë fiskale të shtetit tonë”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/
Thaçi: FSK-krenaria e Kosovës, pengesat s’duhet ta turbullojnë vizionin tonë
E plotësuar- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në adresim publik para rreth një mijë ushtarëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se këta të fundit janë kreniara e Kosovës.
“Ju me punën tuaj keni arritur t’i bëni krenarë prindërit tuaj, fëmijët tuaj, por mbi gjithçka, ju jeni krenaria e Republikës së Kosovës. Ne duhet reflektojmë së bashku për të arriturat deri më tani. Cilësia e demokracisë sonë nuk duhet të varet vetëm nga një sprovë e përfaqësuesve politikë me qytetarin vetëm përmes zgjedhjeve. Unë besoj se demokracia ndërtohet dhe forcohet nga shkëmbimi i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë i ideve dhe përvojave tona”, tha Thaçi.
Ai është shprehur se shpejtësia me të cilën Kosova ka arritur ta kthejë fatin e vetë në rrugë të mbarë në tri dekadat e fundit është e pashembullt.
“Ne e kemi pasur fatin dhe nderin të jemi pjesë e gjeneratës historike që e nxorëm këtë vend nga shkelja, përbuzja, keqtrajtimi dhe nënshtrimi. Kemi bërë shumë për vendin tonë dhe për këtë jemi përgjithmonë ballëhapur.Por, a ka përfunduar puna jonë me kaq?Sigurisht që Jo.Mendoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër. Jemi afër nga data kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Këto data na mundësojnë të shkëputemi nga përditshmëria dhe të bëjmë një reflektimi të përbashkët”, tha Thaçi.
Presidenti shtoi se kemi arritur të konsolidojmë shtetin tonë, duke shtrirë institucionet në secilin cep të vendit, mirëpo në shumë fusha të funksionimit dhe qeverisjes, ende mbesin punë për t’u bërë.
Sipas tij, sfida të mëdha kemi përpara, por nëse fokusohemi dhe punojmë së bashku, ne mund t’i përballojmë e tejkalojmë.
Presidenti Thaçi ka thënë se qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, dhe se shteti jonë duhet të jetë e integruar në familjen e kombeve botërore. /Telegrafi/
Thaçi mban fjalimin e fundvitit para FSK-së
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po mban fjalimin e fundvitit para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Fjalimi po mbahet në palestrën sportive në Komandën e Forcave Tokësore, kazerma “Adem Jashari”.
https://www.youtube.com/watch?v=OJBt7wT7ZlU