Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook thekson se Marrëveshja e Ohrit, e cila u nënshkrua sot para 17 viteve, ka krijuar perspektivë për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë ndëretnike në Maqedoni.
Thaçi më tej shkruan se edhe pas 17 viteve Marrëveshja e Ohrit mbetet garantuesi më i madh i të drejtave të shqiptarëve dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar 17 vjet me parë ndali përfundimisht konfliktin e armatosur dhe krijojë perspektivë për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë ndëretnike në Maqedoni. Edhe pas 17 viteve ajo mbetet garantuesi më i madh i të drejtave të shqiptarëve dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Implementimi i plotë i saj si dhe marrëveshja për emrin me Greqinë, përfundimisht i hap rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Kosova mbetet partner i vazhdueshëm i Maqedonisë dhe respektimit të të drejtave të popullatës shqiptare”, ka shkruar Thaçi.
Përndryshe, sot në Maqedoni me rastin e 17-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, është organizuar panel diskutimi, në të cilin kanë marrë pjesë kryeministri Zoran Zaev, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe funksionarë tjerë shtetëror./Telegrafi/