Telegrafi

Thaçi: Lugar bëri shumë për Kosovën, në ditët më të vështira për popullin tonë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e ish-senatorit amerikan, Richard Lugar, mikut të madh të Kosovës.

Sipas presidentit Thçi, Lugari bëri shumë për Kosovën, në ditët më të vështira për popullin tonë.

“Ishte një prej zërave më të mëdhenj pro intervenimit të NATO-s dhe një mbështetës i pavarësisë sonë. Do ta ruajmë përjetësisht kujtimin për të!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, ish-senatori amerikan nga radhët e republikanëve, Richard Lugar, ka ndërruar sot jetë në moshën 87-vjeçare.

Organizata e tij jofitimprurëse Qendra Lugar, tha se ai vdiq nga komplikimet nga polineuropatia kronike inflamatore, një sëmundje që sulmon nervat.

Lugar shërbeu në Senat nga 1977-2013 dhe ishte i njohur mirë si një zë autoritar për politikën e jashtme të SHBA-së.

Duke shërbyer si kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dy herë – nga 1985-1987 dhe 2003-2007 – ai ishte një kundërshtar i hapur i aparteidit në Afrikën e Jugut dhe armëve bërthamore.

Ai krijoi legjislacionin për shkatërrimin e armëve bërthamore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, i njohur si Programi i Reduktimit të Kërcënimeve të Bashkëpunimit ose Akti Nunn-Lugar.

Lugar bashkë me John McCainin, ishte në pakicën republikane që përkrahu ish-presidentin Bill Clinton në intervenimin e NATO-s kundër Serbisë.

Lugar ishte një politikan shumë i respektuar dhe u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2013. /Telegrafi/