Site icon Telegrafi

Thaçi: Kushtetuesja është shembull për institucionet e tjera

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, me të cilën bisedoi për të arriturat e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Thaçi tha se Gjykata Kushtetuese është gardiane e rendit kushtetues në Republikën e Kosovës dhe shprehu mirënjohje për punën e suksesshme të këtij institucioni.

“Ju inkurajoj të punoni edhe më tutje për forcimin e integritetit dhe ruajtjen e paanshmërisë së institucionit, duke rritur vazhdimisht besimin në të”, theksoi presidenti Thaçi, i cili shtoi se Gjykata Kushtetuese është shembull për institucionet e tjera për nivelin e saj të profesionalizmit.

Ndërkaq, kryetarja Rama-Hajrizi tregoi për punën e vazhdueshme në konsolidimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për sfidat e saj, duke theksuar përkushtimin dhe gatishmërinë që institucioni që ajo drejton të vazhdojë të kujdeset për mbrojtjen e Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë në vend.

Presidenti Thaçi garantoi se do të vazhdohet bashkëpunimi, në kuadër të kompetencave të të dy institucioneve dhe rikonfirmoi mbështetjen e tij për Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/

Exit mobile version