Presidenti i vendit, Hashim Thaçi theksoi se ka kërkuar mbështetje në Paris për forcimin e paqes përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kundërshtarët e paqes janë në dijeni se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta prekte planin e tyre destruktiv, plan ky që synon të thyejë Evropën, të shemb standardet demokratike, të mashtrojë dhe të përçajë evropianët dhe të imponojë një moral të vjetër, që e kanë vuajtur dhe duruar gjatë gjeneratat e përparme.
Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:
“Në Forumin e Paqes në Paris kërkova që të mbështeten përpjekjet tona dhe të Evropës për forcimin e paqes përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Qytetarët e Ballkanit e njohin shumë mirë konfliktin e interesave, ndikimeve dhe ideologjive. Por, bota demokratike assesi nuk duhet të lejojë që forcat shkatërruese të ngadhënjejnë mbi mendjet dhe kryeqytetet e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë. Kundërshtarët e paqes janë në dijeni se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta prekte planin e tyre destruktiv, plan ky që synon të thyejë Evropën, të shemb standardet demokratike, të mashtrojë dhe të përçajë evropianët dhe të imponojë një moral të vjetër, që e kanë vuajtur dhe duruar gjatë gjeneratat e përparme. Por, derisa ata e dinë shumë mirë pse e kundërshtojnë paqen në mes Kosovës e Serbisë, edhe ne e dimë shumë mirë pse duhet të angazhomi me çdo forcë që ta arrijmë atë. Popujt tanë ia kanë borxh vetvetes dhe gjeneratave të reja që ta zhdukin vijën e frontit që ka lënduar rajonin tonë me shekuj. Ia kemi borxh edhe Evropës, sepse është e vetmja rrugë që mund të garantojë lirinë e qytetarëve tanë, respektin për të drejtat fondamentale të njeriut dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona”. /Telegrafi/