Telegrafi

Thaçi kujton Konferencën e Rambujesë: Falë saj, Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar 21 vjetorin e Konferencës së Rambujesë.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka shkruar se kjo konferencë synim kryesor kishte parandalimin e gjenocidit të regjimit të Millosheviqit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

Postimi i plotë:

Para 21 vjetësh, si asnjëherë më parë, mori hov adresimi i çështjes së Kosovës në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Pikërisht më 6 shkurt 1999 nisën punimet e Konferencës së Rambujesë, e cila synim kryesor kishte parandalimin e gjenocidit të regjimit të Millosheviqit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

Kjo konferencë u mbajt në dy runde bisedimesh, por përfundoi pa nënshkrimin e marrëveshjes për të dyja palët.

Delegacioni i Kosovës u tregua shumë i matur dhe i kujdesshëm, si dhe duke besuar në partnerët strategjikë u pajtua me marrëveshjen, e cila solli intervenimin e NATO-s dhe çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës nga regjimi serb.

Anëtarët e ekipit tonë negociator, pavarësisht situatës së rëndë në të cilën ndodheshim, ditën të jenë largpamës dhe vizionarë për të ardhmen e vendit tonë.

Dhe, falë luftës çlirimtare në terren dhe largpamësisë gjatë bisedimeve, si dhe falë përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran! /Telegrafi/