Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ditët në vijim Kosova do të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave.
“Liberalizimi i vizave është një e arritur e vonuar, por vonesa nuk e zvogëlon atë, sepse për shtetin dhe qytetarët e Kosovës përbën një të arritur historike”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Postimi i plotë i presidentit Thaçi në Facebook:
“Të dashur qytetarë,
Presim që në ditët e ardhshme Kosova të marrë rekomandimin për datën se kur qytetarët tanë do të lëvizin të lirë në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta për implementimin e kritereve demokratike.
Liberalizimi i vizave është një e arritur e vonuar, por vonesa nuk e zvogëlon atë, sepse për shtetin dhe qytetarët e Kosovës përbën një të arritur historike.
Kufijtë europianë do të jenë gjithnjë të hapur për fëmijët tanë.
Ata do ta shijojnë lëvizjen e lirë, do t’i takojnë bashkëmoshatarët europianë, do të krijojnë lidhje të reja të miqësisë dhe do t’i forcojnë edhe më shumë lidhjet me familjarët e tyre në diasporë. HTH” (sic), ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/