Telegrafi

Thaçi: Kthimi i shtetasve të vendit nga Siria punë e mrekullueshme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se operacioni i kthimit të mbi 100 shtetasve të vendit u bë falë një pune të mrekullueshme të institucioneve, në bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët.

Kështu bëri të dituri presidenti Thaçi në një postim të tij në rrjetin social në Facebook, ku tha se tash është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve

“Kthimi i mbi 100 shtetasve tanë nga Siria, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, u bë i mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona, të cilat bashkëpunuan ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve. Po ashtu, çdo mbështetje prej të afërmve dhe komuniteteve të tyre, të kthyerve u ndihmon të riintegrohen sa më shpejt në shoqërinë tonë. Kosova është e orientuar kah vlerat perëndimore dhe është e përkushtuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë në luftimin e çdo terrorizmi dhe ekstremizmi që cenon këto vlera”, ka shkruar në Facebook presidenti, Hashim Thaçi. /Telegrafi/