Site icon Telegrafi

Thaçi: Krusha e Vogël simbol i mbijetesës, kriminelët herët a vonë do të japin përgjegjësi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor në 20 vjetorin e masakrës në Krushë të Vogël, ku para 20 vjetësh u vranë 113 qytetarë të pafajshëm civilë.

“Sot, jemi mbledhur bashkë këtu në Krushë të Vogël, për t’i kujtuar dhe për t’i nderuar 113 martirët dhe dëshmorët e Krushës së Vogël, për t’i kujtuar mbi 13 mijë viktimat e dhunës dhe terrorit të shtetit serb gjatë luftës së viteve 1998-1999. Sot kujtojmë mijëra qytetarë të Kosovës, gra, burra, nëna, baballarë, pleq, të rinj e të reja dhe fëmijë të pafajshëm që u vranë padrejtësisht vetëm pse ishin qytetarë të një etnie të caktuar. Dhunën sistematike të shtetit serb popullata civile e kishte provuar në masakrën e Likoshanit dhe Çirezit që në fillim të vitit 1998, në Abri në vjeshtën e po atij viti, si dhe në Reçak më 15 janar 1999”, ka thënë presidenti Thaçi.

Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, presidenti Thaçi theksoi se forcat policore dhe ushtarake serbe kishin intensifikuar edhe më shumë krimet, gjenocidin dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova.

“Mbi gjysmë milioni njerëz u dëbuan jashtë Kosovës. U dhunuan me mijëra gra shqiptare. Popullata e paarmatosur pësoi rëndë në Celinë, në Fortesë, në Brestovc, në Krushë të Vogël, ku, këtu e 20 vjet më parë u vra edhe fëmija 13 vjeçar. Ndërkaq, gjatë 25, 26 dhe 27 marsit 1999, në Krushë të Madhe ndodhi masakra më e madhe në tërë Kosovën ku pësuan 243 persona. Masakra mbi popullatën civile u bënë edhe në Izbicë, Rezallë, në Qyshk, Studime dhe në Meje”, ka thënë Thaçi.

Para të pranishmëve në këtë Tubim Përkujtimor, kreu i shtetit ka thënë se shumë prej jush këtu i keni humbur më të dashurit tuaj para 20 vjetësh.

“Ata, as ju e as ne, nuk do t’i harrojmë kurrë. E dimë që nuk kemi bërë sa duhet, për sa kohë që nuk gjenden dhe identifikohen të gjithë trupat e viktimave, që as sot e kësaj dite nuk kemi arritur t’i sjellim në varrezat e Krushës së Vogël. Personat që i shpëtuan masakrës në Krushë të Vogël, dëshmojnë edhe sot me emër dhe mbiemër për autorët e krimeve në uniformë policore dhe ushtarake serbe. Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë krimet e bëra në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës. Herët a vonë për to do të jepet përgjegjësi”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se të gjithë njerëzit që mbijetuan dhunën dhe terrorin çnjerëzor këtu, sot kanë arritur ta rikthejnë jetën dhe ta mundin dhimbjen e madhe që ua solli lufta.

“Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës dhe është pjesë e historisë sonë të lavdishme. Për mua personalisht dhe besoj edhe për shumicën prej jush këtu, Krusha e Vogël është fshati i rilindur dhe i ringritur mbi hirin dhe gjakun e viktimave, që ranë dhe u viktimizuan vetëm pse ishin në vendin dhe shtëpitë e tyre. Vendi ynë ka përjetuar shtypjen më të tmerrshme dhe më të përgjakur në historinë më të re të Ballkanit, prandaj liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi”, ka thënë kreu i shtetit.

Thaçi ka thënë se liria që gëzojmë sot është fryt i gjakut dhe sakrificës së martirëve e dëshmorëve tanë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version