Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e quan të dështuar planin për krizë humanitare, derisa thotë se krizë humanitare nuk ka në Kosovë.
Sipas tij kjo është tendencë dhe improvizim i Serbisë me qëllim për “t’u paraqitur viktimë para qytetarëve serb në veri të Kosovës.
“Krizë humanitare nuk ka në Kosovë, ka improvizim dhe tendenca të Serbisë për t’iu paraqitur si viktimë qytetarëve serbë në veri të Kosovës. Prandaj është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike të njeh realitetin dhe të kuptoj realitetin. Dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës ka uruar Shqipërinë për zgjedhjet lokale që janë mbajtur dje por pa komentuar rezultatin.
“E imja nuk është që të komentoj rezultatin zgjedhor por uroj Shqipërinë për qetësi dhe pjekuri gjithë qytetarët e vendit”, theksoi ai.
I pyetur se kush do të udhëheq bisedimet, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Dialogun është antikushtetues dhe Ekipi Shtetëror për Dialogun është jo legjitimit, presidenti ka mohuar të përgjigjet.
Ndërkohë ka shtuar se Kosova do të përfaqësohet me përgjegjësi në dialogun me Serbi.
“Kosova do të përfaqësohet me përgjegjësi të lidershipit institucional në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi këto deklarata i ka dhënë pas konferencës “Të gjithë së bashku me një zë” që është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës./kp/Telegrafi/