Telegrafi

Thaçi: Kosova, vend ideal për investime

"Kosova tashmë ka vënë bazat e shëndosha të një ekonomie të hapur të tregut dhe ka krijuar infrastrukturën adekuate ligjore, e cila mundëson investime serioze dhe rritje ekonomike. Prandaj, të gjithë investitorët duhet ta konsiderojnë Kosovën një vend ideal për investime në sektorë të ndryshëm, e sidomos në sektorin e energjisë, minierave, infrastrukturës, bujqësisë etj", ka thënë ai.

Ndër prioritete të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Thaçi ka theksuar anëtarësimin e saj në institucionet financiare ndërkombëtare, gjë e cila, sipas tij, do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm.

"E ardhmja e Kosovës tashmë është e sigurt anëtarësimi në BE dhe NATO, do t’i sjellë Kosovës më shumë paqe, stabilitet, rritje ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët e saj", ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi po ashtu ka falënderuar të gjitha ato shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe u bëri apel edhe përfaqësueseve të shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse si u shpreh, një gjë e tillë është në interes të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon dhe me gjerë.