Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në deradikalizimin dhe riintegrimin e ish-luftëtarëve të huaj nga Kosova.
Reagimi i presidentit Thaçi ka ardhur pas votimit të projektligjit për luftimin e financimit të terrorizmit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ja postimi i plotë i Thaçit në Facebook:
Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi projektligjin për luftimin e financimit të terrorizmit.
Kemi miratuar ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovë që t’u bashkohen luftërave të huaja dhe Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm.
Ndërkaq, fakti që në gjashtë muajt e fundit nuk është regjistruar asnjë kosovar të ketë shkuar të marrë pjesë në luftëra të huaja përbën sukseset e para të angazhimit tonë të përbashkët.
Njëherësh, mbetemi të përkushtuar që të punojmë në deradikalizimin dhe riintegrimin e ish-luftëtarëve të huaj nga Kosova.
Kosova vazhdon të jetë e vendosur dhe kampione në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. /Telegrafi/