Gjatë qëndrimit në Kozencë, presidenti Thaçi ka vizituar edhe Universitetin e Kozencës, i cili është një prej universiteteve më të mëdha dhe më të njohur të Italisë.
Presidenti Thaçi aty u prit nga rektori i universitetit, i cili ka prezantuar punën e institucionit, duke përfshirë në mënyrë të veçantë kontributin e departamentit të albanologjisë.
“Në këtë universitet studiojnë edhe të rinj nga Kosova”, u shpreh rektori Crisci.
Ndërsa, profesori Françesko Altimari prezantoi të arriturat albanologjike, duke u ndalur me theks të veçantë te botimet e shumta të trashëgimisë letrare arbëreshe.
Duke i përgëzuar për të arriturat e universitetit, presidenti Thaçi theksoi se ndjehet krenar për mënyrën se si studiohet, botohet dhe ruhet trashëgimia letrare dhe kulturore arbëreshe.
“Për ta mbajtur të pashkëputur lidhjen tonë, Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme që në forma të ndryshme t’i mbështesë vendbanimet dhe kulturën arbëreshe”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi me profesorët e Universitetit të Kozencës ka diskutuar edhe për organizimin e projekteve të përbashkëta kulturore dhe albanologjike, si konferenca, seminare dhe kongrese në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Gjithashtu, presidenti Thaçi ka vizituar edhe laboratorët e teknologjisë HighTech dhe laboratorët e tjerë të Universitetit të Kozencës, të cilët kontribuojnë në ngritjen e kompanive prodhuese.
Presidenti Thaçi ka thënë se implementimi i marrëveshjes mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Kozencës i hap perspektivë talenteve të Kosovës në këtë fushë me perspektivë globale. /Telegrafi/