Telegrafi

Thaçi: Këtë javë nënshkruhet kontrata për autostradën

“Afati nuk do të tejkalohet. Këshilli ndërministror të martën e ka takimin e fundit dhe do të marrë vendimin përkatës, ndërsa të mërkurën Qeveria gjithashtu do të vazhdojë me vendimin e saj”, ka thënë kryeministri Thaçi, të dielën në Aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga Konferenca ndërkombëtare e mbajtur në Bërdo të Sllovenisë, shkruan sot Koha Ditore.

Afati dhjetëditor i kryeministrit për nënshkrimin e kontratës me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel & Enka” e vlefshme për ndërtimin e autostradës zyrtarisht kalon këtë të hënë.

“Mund të jetë çështje orësh sa i përket dhjetëditëshit që është përmendur më herët”, ka thënë ai.

Punimet në projektin e autostradës se Kosovës të gjatë rreth 103 pritet të ndahen në dy faza. Për 24 muaj planifikohet të kryhet segmenti Vërmicë – Arllat, ndërsa për 12 muaj do të përfundojë segmenti Sllatinë – Besi.

Përveç afrimit të datës për nënshkrimin e kontratës, zyrtarë qeveritarë ende nuk kanë saktësuar se nga do të merren financat e para për nisjen e punimeve në autostradë. Njëri nga opsionet e mundshme të financimit të autostradës është marrja e kredive nga bankat e kompanisë me të cilën arrihet marrëveshja.

“Në momentin kur të nënshkruhet kontrata aty përcaktohet saktë edhe momenti i fillimit të punimeve”, pati deklaruar ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, duke theksuar se paratë për ndërtimin e autostradës janë të siguruara nga kompania amerikano-turke.

Ministri Limaj, ndërkaq, pati siguruar banorët se asnjë milimetër e tokës që do t’ua marrë autostrada nuk do të mbetet pa u kompensuar.

“Çdo milimetër e pronës në të cilën kalon autostrada do të shpronësohet me çmimin e tregut. Kështu e thotë Ligji mbi shpronësim”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Limaj ka paralajmëruar edhe disa nga format e financimit të ndërtimit të autostradës. Përveç mjeteve prej rreth 22 milionë eurosh të siguruara nga buxheti i Kosovës, Korporata Amerikane e Investimeve (OPIC) ka shprehur interesim që ta mbështetë projektin me 80 milionë euro, ndërsa përmes Bankës Gjermane mund të sigurohen 60 milionë euro. Edhe Banka Amerikane është interesuar që të japë kredi të buta për ndërtimin e autostradës së Kosovës.

Në janar të këtij viti Qeveria ka miratuar propozimin e Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës, për të filluar negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ka ofruar që një kilometër autostradë ta ndërtojë për 7,5 deri në 8 milionë euro

Deklarimet e mëparshme të ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, në lidhje me financimin e autostradës, nuk japin përfundim se në cilin institucion financiar saktësisht do të hyjë kredi Republika e Kosovës për ndërtimin e autostradës. Dihet se financimi i autostradës do të bëhet 50 për qind nga kreditë dhe 50 për qind nga investimet nga buxheti i Kosovës.