Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg me të cilin ka thënë se kanë biseduar për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
“Në Nju Jork takova Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin biseduam për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. E falënderova sekretarin Stoltenberg për kontributin e NATO-s në sigurimin e paqes në Kosovë dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon, Evropë dhe botë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ai gjithashtu ka thënë se lidhjet tona historike dhe të veçanta me NATO-n duhet të shndërrohen në një bashkëpunim të mirëfilltë strategjik, përmes anëtarësimit tonë në këtë aleancë.
“Nga sekretari Stoltenberg kërkova vazhdimin e mbështetjes për FSK-në dhe transformimin e saj në ushtri shumetnike me standardet më të larta”, ka shkruar tutje presidenti Thaçi. /Telegrafi/