Telegrafi

Thaçi: Kërkoj nga vendet e BE-së dhe të Quintit, të kenë qëndrime të njëjta lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në samitin Brdo-Brionit ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.

Ai ka folur për Samitin e Berlinit duke thënë se pas këtij samiti nuk ka pasur ndonjë gjë konkrete se si do të vazhdohet.

“Në Samitin e Berlinit kemi parë se sa iu thellë është hendeku mes Kosovës dhe Serbisë, dhe sa e vështirë është mundësia e arritjes së një marrëveshje përfundimtare. Pas këtij takimi nuk ka pasur diçka konkrete se si do të vazhdohet tutje. Dua të besoj që Samitit i Parisit do të jetë më mirë i organizuar dhe do të ketë substancë”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se shpreson që në të ardhmen e afërt BE do të jenë unike në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi.

“Shpresoj të mos ketë zëra të ndryshëm brenda familjes evropiane. Do të ishte jetike që shtetet e Quintit të jenë unike, sepse kemi qenë dëshmitar të opinioneve, zërave dhe qëndrimeve të ndryshme për të parë pas viteve ’99/2000 për raportet Kosovë-Serbi”, ka thënë ai duke folur për rolin e SHBA-së në procesin e dialogut.

Lexo po ashtu Thaçi në Samitin e Brdo-Brionit: Mosliberalizimi, ndëshkim i panevojshëm ndaj qytetarëve të Kosovës

“Mund të them se kam qenë i tmerruar kur para shkuarjes në samitin e Berlinit, SHBA-të nuk kanë qenë të njoftuara për këtë Samit. Procesi që është zhvilluar deri tani me zonjën Mogherini ka qenë i konsultuar me SHBA-të. Ky proces mund të përmirësohet nëse angazhoheni edhe ju nga vendet e rajonit, sepse i tërë synimi është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Marrëveshje ligjërisht obliguese, ku ruhet realiteti multietnik i dy vendeve, nuk do të ketë kufij në baza etnike”, është shprehur ai, transmeton Telegrafi.

Sipas tij në Kosovë nuk do të pranohet themelimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Pavarësisht ideve të ndryshme që qarkullojnë nga diplomat të ndryshme, në Kosovë është i papranueshëm themelimi i ndonjë asociacioni me mandat ekzekutiv në Kosovë që ngjanë me një republikë serbe në veri, apo modeli gjermano-gjermano, apo ndonjë ide e sovraniteti të dyfishtë”, tha ai.

Ndër të tjera, Thaçi ka thënë se nëse shtyhet arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm se thellohet hendeku mes dy vendeve.

“Ne mbesim me shpresë që ky proces të jetë i pakushtëzuar. Çdo ditë, javë, muaj që kalon pa një marrëveshje të tillë, vetëm se thellohet hendeku Kosovë-Serbi dhe mund të ketë reflektim negativ në rajon”, ka thënë ai./Telegrafi/