Site icon Telegrafi

Thaçi: Kërkesa për zhbërjen e Speciales, plotësisht demokratike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e quan krejtësisht demokratike kërkesën e deputetëve kosovarë për ta ndryshuar vendimin për Gjykatën Speciale, ndërsa po që se kjo gjykatë do të zhbëhej nga Kuvendi, ai tha se do ta nënshkruante pa hezitim.

Në intervistën dhënë RTK-së, Thaçi tha se kërkesat e ligjvënësve duhet të shihen si alternativë demokratike karshi dështimeve të mëdha dhe mospërmbushjes së zotimeve nga bashkësia ndërkombëtare në relacion me Kosovën.

“Është iniciativa që nuk duhet dramatizuar as nënvlerësuar. Nisma e rreth 50 deputetëve është plotësisht ligjore që nuk e sfidon drejtësinë, por kërkon një alternativë dhe si e tillë duhet shikuar në rrafshin me serioz, më të përgjegjshëm dhe jo nga prizmi partiak apo i egove të askujt”, deklaroi presidenti Thaçi.

Ai ritheksoi se themelimi i kësaj gjykate ka qenë historikisht i padrejtë për Kosovën, por tha se institucionet vendore kanë sakrifikuar për shkak të zotimit të ndërkombëtarëve se do ta mbështesin Kosovën. Presidenti tha zotimet ndërkombëtare kanë qenë për mbështetje më të fuqishme për anëtarësim në UNESCO, në Këshillin e Evropës, në Interpol për themelimin e FAK-ut dhe për njohjet e reja përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së.

“Kjo nuk ka ndodhur dhe se çdo vendim të Kuvendit do ta nënshkruaja”, tha Thaçi, duke u shprehur i bindur se një vendim i Kuvendit nuk do ta cenonte miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët e sidomos me SHJBA-në, ashtu siç ishte trumbetuar nga mediet dhe analistët. Një aspekt procedural nuk i lëkundë marrëdhëniet me SHBA-të. “ Një vendim procedural nuk mund ta prishë miqësinë e përhershme me SHBA-në”, tha Thaçi.

Presidenti tha se lufta e drejt e UÇK-së duhet ta bashkoj spektrin politik vendor pavarësisht dallimeve ideologjike, sepse “askush nuk duhet të jetë në proceset antihistorike të Kosovës”.

Presidenti në këtë intervistë foli edhe misionin EULEX, për të cilin tha se Kosova gjithmonë është mirënjohëse për kontributin që ka dhënë, por tha se ka ardhur momenti që ky mision detyrat t’i bartë vendorëve. “EULEX ka bërë një punë të mirë edhe pse ka pasur lëshime dhe skandale. Por, institucionet e Kosovës janë pjekur edhe në drejtësi dhe duhet të marrin përgjegjësitë e vete dhe besoj që mund të drejtojnë drejtësinë edhe më mirë se disa shtete tjera”, deklaro ai.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ai shprehet optimist se do të përfundoj brenda vitit 2018. Në javët e para të janarit, sipas tij, të fillojnë bisedimet parapërgatitore për bisedimet me Beogradin, ndërsa shprehet optimist se do të firmohet një grup i unitetit për fazën përfundimtare të bisedimeve. “Dialogu dhe arritja e marrëveshjes i kontribuon stabilitetit, por çdo dialog do ta humb kuptimin nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, apo nëse Kosova nuk bëhet pjesë e OKB-së”, tha Thaçi.

Kurse pika më e nxitë e procesit për vitin e ardhshëm, sipas presidentit, është demarkacioni me Malin e Zi, për të cilin Thaçi shprehet optimist se në janar mund të miratohet.

Ndryshe, në fundit presidenti Thaçi e e vlerëson të suksesshëm vitin që po mbetet pas, për të cilin tha se ka kaluar me shumë zhvillime pozitive të konsolidimit dhe shtet-ndërtimi të Kosovës në të gjitha sferat. “Kemi mbajtur dy palë zgjedhje që janë përshëndetur nga të gjithë, ka pasur edhe lëshime, por përgjithësisht ka qenë viti i suksesit gradual për të ecur përpara në të gjitha sferat edhe politike, institucionale, demokratike, ekonomike e zhvillimore.

Sivjet kemi edhe ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë më të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë investime mbi 1.3 miliardë euro në energjetikë”, tha Thaçi. Ai përmendi edhe vitin e ardhëm si vit normal, për t’i përmbush obligimet që kanë mbetur nga ky vit.

Exit mobile version