Telegrafi

Thaçi kërcënon ministrat: raportet e auditorit do ti kalojnë prokurorisë

Në mbledhjen e qeverisë veç prezantimit të shpenzimeve buxhetore për gjashtëmujorin e parë, ndryshimit të skemës tatimore në vend, kërkesës për ndëshkimin e fajtorëve që lejuan maunet me acid sulfurik dhe vendimeve të tjera që u bënë publike gjatë ditës, është kërkuar në mënyrë të prerë që të revokohen të gjithë licencat për gurëthyesit në Kosovë.

Kryeministri Thaçi, ka obliguar dy zëvendëskryeministrat, Ramë Manaj dhe Hajredin Kuçit që deri në mbledhjen e ardhshme të qeverisë ti revokojnë licencat e gurthyesve në vend.

Arsyetimi i kryeministrit për revokim të këtyre licencave ka qenë se në qeverinë e kaluar ato janë lëshuar nga ministri të ndryshme.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se pas revokimit të këtyre licencave, ministria e Energjetikës duhet të hartojë një plan veprimi.

“Ky plan do të sqarojë mënyrën e lëshimit të këtyre licencave”.

Ndërkohë gjatë mbledhjes së qeverisë dy ministra të kabinetit Thaçi nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët në lidhje me amnistinë fiskale që ka propozuar ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala.

Në këtë kontekst kryeministri ka larguar nga rendi i ditës në mbledhjen e së hënës, shqyrtimin e propozimit për lirim nga pjesa e ndëshkimeve të bizneseve për borxhe të arritura në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Ministri Shala gjatë mbledhjes paraqiti projektin sipas të cilit, lirimi nga ndëshkimet do ti shtynte bizneset që ti paguajnë borxhet që kanë ndaj ATK-së dhe në një formë këto biznese do të mund të zhvilloheshin edhe më shumë duke ofruar vende të punës.

Një projekt i tillë është refuzuar nga Ministri Zharku. Sipas tij lirimi nga ndëshkimet do ti dëmtojë tatimpaguesit e rregullt. Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga të dy ministrat që të enjten të vijnë me një propozim të përbashkët lidhur me këtë çështje./Telegrafi/