Telegrafi

Thaçi: Kemi nevojë për paratë tuaja

Kosova përballet me shumë sfida për tejkalimin e të cilave ende ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e donatorëve, tha sot kryeministri Hashim Thaçi, në forumin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Komunitetit të Donatorëve në Prishtinë.

Sipas tij, ndonëse kriza ekonomike globale ende nuk ka shkaktuar një barrë shtesë për Kosovën, shteti ynë nuk mund të jetë imun ndaj këtyre ndikimeve, dhe recesioni botëror do të ndikojë edhe në rritjen e ultë ekonomike të vendit, theksoi Thaçi

“Por, jemi të vendosur në reforma. Gjithashtu, kjo do të ketë ndikim negativ paksa në të hyrat publike që do të jenë në dispozicion të qeverisë. Dështimi i socializmit dhe lufta jonë për pavarësi të kombinuara me dekada të neglizhencës, vendimeve të këqija dhe investimeve të pamjaftueshme na kanë lënë një trashëgimi të zymtë”, tha tutje Thaçi. 

Komisioni Evropian në konferencën e donatorëve ka ndarë rreth 500 milionë euro për Kosovën, tha kryesuesi i zyrës në Kosovë, Renco Davidi.

“Kanë qenë të ndara në dy pjesë, rreth 35o milionë euro për asistencë teknike dhe investime në instrumentin para-qasjes për anëtarësim, rreth 140 milionë për mbështetje makrofinanciare, mbështetje të buxhetit. Dhe zotimet tona po përmbushen edhe sa i përket afateve kohore”, ka thënë z. Davidi.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, theksoi përkushtimin e qeverisë për privatizimin e ndërmarrjeve publike, PTK-së, dhe sektorëve të KEK-ut, deri në vitin 2010.