Drejtuesi i emisionit Opinion në TV Klan, Blendi Fevziu në një studio të improvizuar në mjediset e “Korpusit Universitar”, ka realizuar një intervistë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Thaçi ka kujtuar intervistën e parë që ka realizuar para 20 vitesh nga Fevziu, duke e kujtuar me shumë nostalgji atë kohë.
“Ne kemi kaluar në situata dhe sfida që tashmë i dimë dhe në tërë proceset politike që kemi kaluar. Intervista e parë në vitin 1999 dhe xhirimet e para kanë qenë në ‘fluturimin’ tonë të përbashkët”, ka thënë Thaçi.
“Ne të gjithë do të shkojmë por ato xhirime dhe dokumentari që e keni përgatitur për shpalljen e Kosovës të pavarur do të mbetet gjithmonë dhe do të kujtohet edhe nga fëmijët tanë”.
Thaçi, tutje ka theksuar se i ka realizuar objektivat e tij.
“Kam vullnetin dhe energjinë që t’i shërbej vendit edhe më tutje. Kam theksuar disa herë se unë objektivat e mia si: lirinë e Kosovës, pavarësinë e Kosovës i kam realizuar ndërsa tani pres anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Thaçi.