Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, për atë çfarë ka bërë derisa Bullgaria kishte presidencën e Bashkimit Evropian, por ka thënë se ka besim të plotë edhe në kancelarin austriak, Sebastian Kurz, shteti i të cilit tash ka presidencën.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, “Ne duhet të vazhdojmë me zbatimin e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike, të nevojshme në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE”.
Postimi i Thaçit:
“Presidenca e BE-së nga Bullgaria dhe Samiti i Sofjes ishin një sukses i plotë dhe një hap i madh përpara drejt jetësimit të aspiratës sonë për anëtarësim në BE. E falënderoj kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, për rolin dinamik në mbështetje të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në gjashtë muajt e fundit të kryesimit të presidencës.
Presidencën e BE-së tani e merr një shtet tjetër mik i Kosovës, Austria. Unë kam besim të plotë në vizionin dhe energjinë e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, për të shtyrë përpara agjendën evropiane të shtetit tonë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ne duhet të vazhdojmë me zbatimin e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike, të nevojshme në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/