Telegrafi

Thaçi javën e ardhshme në SHBA, do të diskutohet për korrigjimin e kufijve

Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit Hashim Thaçi ka bërë të ditur për Telegrafin se Thaçi do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë fundjavë.

Arifaj ka thënë se shumë shpejt do të publikohet edhe agjendën e takimeve të të parit të vendit.

Mediat kanë raportuar se në fillim të javës së ardhshme, presidenti Thaçi do të takohet me presidentin Trump, ku do të diskutojnë edhe për korrigjimin paqësor të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet të dyja shteteve.

Edhe këshilltari për siguri i presidentit Trump, John Bolton, ditë më parë kishte deklaruar se nëse palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, SHBA-ja nuk i përjashton korrigjimet territoriale.

Përkrah SHBA-së tashmë si duket është rreshtuar edhe Bashkimi Evropian, i cili korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po e sheh si mundësi reale për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dyja shteteve, e cila do të siguronte edhe paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/