Telegrafi

Thaçi inspekton punimet në autostradën Prishtinë-Pejë

Ai, së bashku me ministrin e Transportit, Fatimir Limaj, inspektoi punimet për ndërtimin e autostradës në aksin rrugor Sllatinë-Orllat-Gjurgjicë, prej 22 km, që është vazhdim i segmentit Fushë Kosovë – Sllatinë.

”Po shihet se vendi ynë është duke u ndërtuar në të gjitha anët, po punohet në të gjitha pjesët duke shtuar numrin e autostradave të cilat do të ndihmojnë në lehtësimin e qarkullimit të qytatarëve të shtetit tonë“, tha kryeministri Thaçi .

Kryeministri Thaçi gjithashtu pohoi se me ndërtimin e këtyre autostradave, po ndërtohet ekonomia e vendit tonë, po shtohen vende të reja pune, si dhe po përmirësohet e gjithë jeta e qytetarëve të këtij vendi.

Thaçi theksoi se krahas këtyre punimeve, po afrohet koha e fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës që e lidhë Kosovën me Shqipërinë, përkatësisht pjesë Morinë-Prizren-Merdar.

Ndërsa ministri Limaj theksoi se këto punime janë duke vazhduar si rezultat i përpjekjeve të kësaj ministrie për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Pejë.

“Ne u njohëm nga afër me punimet të cilat janë duke vazhduar në segmentin Sllatinë-Orllat-Gjurgjicë, të cilat punime kanë filluar më parë, në mënyrë që pjesës e cila është në përfundim e sipër Fushë- Kosovë-Sllatinë, po i shtohet edhe ky segment Sllatinë-Orllat-Gjurgjicë, duke shtuar numrin e kilometrave të kësaj autostrade ne 33 kilometra”, tha Limaj.

Ministri Limaj poashtu tha se sipas dinamikës së paraparë asfaltimi i 22 kilometrave në këtë segment do të përfundojë brenda një viti. /rtk/