Presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi, më 7 prill do ta bëjë betimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe do ta marrë mandatin e tij presidencial.
Në mënyrë simbolike, të nesërmen do ta ketë edhe ceremoninë e inaugurimit në sheshin “Skënderbeu”, ku të pranishëm pritet të jenë qindra mysafirë, presidentë, politikanë e diplomatë të shumtë nga rajoni dhe bota.
Lajmi.net mëson se përgatitjet për inaugurimin e Presidentit të Republikës së Kosovës tashmë janë finalizuar dhe ka filluar edhe shpërndarja e ftesave zyrtare.
Në këtë eveniment do të parakalojë edhe garda e nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe se do të performojë edhe orkestra e Filarmonisë së Kosovës.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i ceremonisë është edhe siguria e lartë për të cilën do të përkujdesët Policia e Kosovës. Kështu, sheshet “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova” në Prishtinë pritet të jenë tërësisht të “blinduara” dhe të paqarkullueshme për qytetarë.
Bashkë me ftesën që po u dërgohet të ftuarve, si orientim po i bashkohet edhe një skemë e rrugëve që dërgojnë tek këto dy sheshe.
Ceremonia do të përfundojë me fjalimin inaugurues të Presidentit të Republikës së Kosovës.