Gjatë seancës plenare që u mbajt të enjten në kuvendin e Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, bëri të ditur që kryeministri Thaçi i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-së, Sepp Blatterit, për ta shprehur indinjatën e tij për vendimet e fundit të këtij institucioni ndërkombëtar.
Ndër të tjera, ai ka shprehur mospranimin e modaliteteve të fundit që u implementuan në mbledhjen e fundit të komisionit të FIFA-së, e që e pamundësojnë zhvillimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses A të Kosovës me shtetet e tjera, si dhe për mos përdorimin e simboleve shtetërore.
Ministri Memli Krasniqi, më tej shtoi se me 22 mars do të mbahet një mbledhje në bordin e FIFA-së, ku do të ketë rishqyrtim të vendimit për modalitete dhe shpreson që ato do të hiqen përfundimisht. /Telegrafi/